Pakënaqësi për raportet e qeverisë shqiptare, të paplota, të padetajuara, pa fotografi.
Ndërtimi
i rrugës Ksamil-Butrint duhet të ishte ndaluar 3 vjet më parë. Ky është
përfundimi i UNESCO-s dhe ICOMOS-it, dy autoriteteve më të larta në
fushën e trashëgimisë botërore. Në raportin më të fundit, atë të datës
31 korrik 2013, dërguar ambasadores sonë të UNESCO-s, Besiana Kadare,
për t’ia përcjellë më tej qeverisë shqiptare, ende në detyrë, thuhej se
projekti i hartuar tre vjet më parë ishte i paplotësuar, i pashtruar për
diskutim dhe nuk lidhej me asnjë plan menaxhimi të trafikut dhe
vizitorësh, që do të kishin si destinacion të fundit Butrintin, prej
vitesh pjesë e trashëgimisë botërore. Ky raport ligjëron debatin e
ashpër të para tri viteve, i cili gati u kthye në një “mision” personal i
ish-drejtorit të Parkut të Butrintit dhe ish-deputetit të PS-së, Auron
Tare, i cili denoncoi parregullsitë në ndërtimin e kësaj rruge me firmën
e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe dëmin që
ajo po i shkaktonte Parkut të Butrintit dhe gjithë relievit dhe
peizazhit përgjatë rrugës. Ajo çka kërkohej, me sa duket edhe nga
ekspertët e UNESCO-s, ishte rishikimi i projektit, por jo moshapja e një
rruge që do të zëvendësonte dredhat e frikshme që të çonin në Ksamil e
më tej në Butrint. Në raportin e nisur vetëm dy ditë më parë përshkruhet
gjithë historiku i kësaj çështjeje dhe rekomandimet e ekspertëve. Nga
pala shqiptare janë nisur raporte azhornuese për zbatimin e
rekomandimeve, por të papasqyruara me materialet përkatëse, siç mund të
jenë fare thjeshtë fotografitë. Kjo i ka lënë të pakënaqur ekspertët, në
këtë rast ata të ICOMOS-it, që kanë hartuar edhe raportin.
Raporti
“Në
qershor 2010, pas prezantimit nga Fondacioni Butrinti në Qendrën e
Trashëgimisë Botërore, ICOMOS shqyrtoi projektin e zgjerimit dhe
rregullimit të rrugës që kalonte nga Ksamili në jug të Parkut Kombëtar
të Butrintit. Puna kishte filluar ndërsa projekti nuk ishte plotësuar
ende me detajet e duhura për konsultim, pa u diskutuar plotësisht nga të
gjithë aktorët kyç dhe pa u ndërmarrë një vlerësim i plotë i ndikimit
mjedisor për të identifikuar ndikimin në vlerat e jashtëzakonshme
universale të kësaj pasurie, pjesë e Trashëgimisë Botërore. ICOMOS
vlerësoi se ky projekt rrugor mund të ketë një efekt negativ mbi
peizazhin ‘magjik’ të pasurisë së Trashëgimisë Botërore. Më tej, ICOMOS
gjykoi se ndikimi i tërthortë i rrugës, që kupton se si trafiku dhe
vizitorët do të menaxhohen, nuk duket të jetë pjesë e ndonjë zhvillimi
të përgjithshëm strategjik të menaxhimit të vizitorëve brenda pronës së
Trashëgimisë Botërore dhe më gjerë në Parkun Kombëtar. Rruga e re
gjithashtu nuk duket të jetë e lidhur, në aspektin e qasjes së
vizitorëve, me rrugët e reja të financuara nga BE-ja për në lindje. Ajo
nuk ishte gjithashtu në përputhje me Planin e Menaxhimit në vend në atë
kohë. ICOMOS mirëpriti faktin që projekti rrugor mesa duket ishte ndalur
në skajin jugor pranë qendrës historike të parkut, por rekomandohej që i
gjithë projekti të ndalej deri sa të jepeshin vlerësimet për
strategjinë e menaxhimit të trafikut dhe të vizitorëve në parkun, pronë e
Trashëgimisë Botërore. Kjo vonesë do të jepte mundësinë e hartimit të
një projekti të ri që të kishte miratimin e Komitetit të Trashëgimisë
Botërore dhe organeve të saj këshillimore dhe të respektonte natyrën
jashtëzakonisht të ndjeshme të peizazhit të Butrintit”.
Vlerësim në terren
Pas
vlerësimeve paraprake, ICOMOS i rekomandoi qeverisë të dërgonte një
grup këshillimi për të vizituar zonën dhe për të diskutuar se si mund të
zbatoheshin rekomandimet e bëra prej tyre. Qeveria shqiptare e pranoi
këtë propozim dhe një mision këshillimor i UNESCO-ICOMOS erdhi në
Shqipëri në datat 24-26 gusht 2010 dhe hartuan një raport. Qeveria
filloi implementimin e këtyre rekomandimeve dhe dërguan një raport
progresi më 1 shkurt 2011 dhe më tej një raport në shkurt të këtij viti.
Ky i fundit ishte dhe objekt i shqyrtimit më të fundit.
Rekomandimet e ekspertëve të UNESCO-ICOMOS
“Misioni
këshillues i UNESCO-ICOMOS rekomandoi që zgjerimi i rrugës duhej të
ndalej dhe se nuk duhej të kishte asnjë veprimtari përafërsisht 100 m
larg nga zona e parkingut të ri për autobusët. Raporti i vitit 2013 i
qeverisë shqiptare nuk tregon në mënyrë specifike që shteti i ka
implementuar me të vërtetë rekomandimet, edhe pse në të dy raportet e
viteve 2011 dhe 2013 ka fraza sipas të cilave rekomandimet janë
reflektuar në hartimin dhe implementimin e projektit. Nuk është e qartë,
pra, nëse puna u ndal në të vërtetë”, shkruhet në raportin e 31
korrikut 2013. Në rekomandimet e misionit këshillues përfshiheshin
gjithashtu masat që duheshin marrë për ruajtjen e peizazhit, për
ndërtimin e rrugës sipas të gjitha parametrave për të parandaluar
aksidentet automobilistike, por edhe të këmbësorëve, duke siguruar
trotuare për këmbësorët dhe korsi për biçikletat, madje kërkohej dhe
vendosja e kangjellave. Një rekomandim më vete ishte ai i vendosjes së
ndriçimit të posaçëm rrugor dhe pedonal, një tjetër element i
rëndësishëm për sigurinë rrugore.
Raportet e paplotësuara të shqiptarëve
Në
raportet më të fundit të qeverisë shqiptare, dërguar UNESCO-s në lidhje
me ndërtimin e rrugës së Ksamilit, thuhet se rekomandimet e ekspertëve
janë plotësuar të gjitha, por UNESCO duket se nuk u beson thjesht
fjalëve. Raportet e dërguara s’kanë qenë të plota dhe nuk faktonin masat
e marra. “Nuk jepen detaje. Do të ishte e dobishme në qoftë se qeveria
mund të dërgonte fotografi që tregonin shenjat rrugore, trotuarin e ri
dhe parmakët, për të lejuar një vlerësim nëse ata me të vërtetë po
respektojnë vlerat e këtij siti dhe rrethinave të tij”, vërejnë
ekspertët e ICOMOS-it.
Sipas Gazetës Panorama
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment