Pashko VASA
U lind më 1825 në Shkodër.
Shkollimi: autodidakt, mësoi shumë gjuhë të huaja.
Si 17 vjeçar punon si sekretar në konsullatën angleze
në Shkodër (5 vjet). Më 1848 viziton Romën dhe
Venedikun, ku ishte epror ushtarak në luftën e
popullit italian kundër zgjedhës austriake. (në fund
italianët e larguan nga Venediku me dhunë). Më
1850 viziton Stambollin ku u punësua në Ministri
Veprat letrare:
Romani autobiografik “Burgimi im”, italisht, (1850)
Vëllimi i poezive “Trëndafila e gjemba”, italisht (1873)
Artikullin e gjerë të botuar në Alfabetare
“Shqypnija dhe shqyptarët” (1879)
Poezia “Mori Shqypni, e mjera Shqypni
Romani “Bardha e Temalit”(1890), frëngjisht.
O Moj Shqypni
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qite me krye n’hi?
Ti ke pas qene një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pas shumë t’mira e begati,
Me vashza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dëlira;
Ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ke qenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurrë s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, t’shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Nder nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thonë kam fe sa thonë kam din;
Njeni:” jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog nder leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nderë ndër shokë,
Por asht rrexue e bamun trokë!
Mblidhniu ju vashza,
mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjere,
Qi mbet’ e shkrete pa em’n, pa nder;
Ka mbet e veje si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët far trimneshe, qi sot asht mekë?
Kët nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Kët marre askush s’e do
Ket faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Preveze,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rreze,
Asht tok’ e jona, prind na e kane lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara Zotit.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment