11:01 AM
0

Lidhja e muajit të ramazanit me Kuranin

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë thotë:
شَہۡرُ رَمَضَانَ الَّذِیۡۤ اُنۡزِلَ فِیۡہِ الْقُرْاٰنُ
“Muaji i ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani”.
(Kurani Famëlartë 2:186)
Agjërimet, në fenë Islame, janë obliguar në vitin e dytë pas hixhretit (mërgimit) dhe Zoti i Madhërishëm zgjodhi muajin e ramazanit për to, pikërisht muajin në të cilin Kurani Famëlartë kishte filluar të zbritej. Historikisht dihet që i gjithë Kurani nuk zbriti brenda një muaji të vetëm, por u deshën 23 vite që të përfundojë zbritja e tij gjatë jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.. Për këtë arsye, një përkthim tjetër i këtij ajeti sugjerohet si në vijim: “Muaji i ramazanit është ai, rreth të cilit ka zbritur Kurani”.
hena e ramazanit
Sidoqoftë, që të dyja variantet janë të qarta në kuptimin se muaji i ramazanit ka një lidhje të veçantë me Kuranin.
“Ky është muaji i ramazanit, i cili është i veçantë sepse pikërisht gjatë këtij muaji Kurani kishte filluar të zbritej dhe për shkak të kësaj lidhjeje, Allahu i Lartësuar këtë muaj e ka quajtur si muaj i agjërimeve. Çfarë janë agjërimet?  Gjatë agjërimeve njeriu duhet të përmbysë rutinën e përditshme të jetës së tij. Shumë gjëra që janë të lejuara për të, bëhen të ndaluara gjatë këtij muaji, madje, edhe ato gjëra që i ka për zemër gjatë muajve të tjerë, gjatë muajit të ramazanit ai heq dorë prej tyre e në kohë të caktuar, i bën të ndaluara për veten. Pra, gjërat e nevojshme dhe të lejuara, shndërrohen në ato të panevojshme e të ndaluara.
Një mësim që nxjerrim nga agjërimet e ramzanit është përmbysja e rutinës së përditshme e jetës së besimtarëve, e që ndodh sa herë që atyre u vjen ndonjë mesazh prej Zotit. Duke quajtur muajin e zbritjes së Kuranit Famëlartë si muaj të agjërimeve për gjithmonë, Allahu i Lartësuar na tregoi që pas zbritjes së Fjalës së Tij, nuk mund të vazhdojë jeta e njeriut në mënyrë të zakonshme. Asnjë herë nuk ndodhi që të ketë zbritur ndonjë mesazh hyjnor në botë dhe jeta njerëzore të ketë vazhduar me të njëjtën rutinë, siç vazhdonte para zbritjes së tij. Ashtu siç gjatë muajit të agjërimeve, për një kohë të caktuar, njeriu duhet të heqë dorë edhe nga gjërat e lejuara, në të njëjtën mënyrë, gjatë kohës kur vjen ndonjë profet, besimtarët e tij detyrohen të heqin dorë nga të drejtat e tyre, pak për shkak të bojkotimit prej kundërshtarëve, por edhe për shkak të nënshtrimit ndaj sistemit të ri hyjnor. Armiqtë e profetit i bojkotojnë besimtarët e tij dhe ua dëmtojnë pasuritë e tyre të drejta, madje edhe i privojnë nga ato, madje, duke i torturuar në mënyra të ndryshme, ua ndryshojnë krejtësisht mënyrën e jetesës. Në të njëjtën mënyrë, besimtarëve të profetit u duhet të ndryshojnë jetën edhe për shkak të nënshtrimit ndaj porosive të reja që vijnë bashkë me profetin prej Zotit. Ata sakrifikojnë pasurinë e tyre, që është e drejta e tyre, për të përhapur besimin, për edukimin e shoqërisë etj. Pra, në dy mënyra, atyre u merren pasuritë: Zoti ua kërkon si taks, ndërsa armiqtë ua marrin duke i persekutuar. Nga kjo pikëpamje, kjo periudhë për ta është si periudha e agjërimeve. Agjërimet e ramazanit vijnë një herë në vit, por besimtarët në kohën e profetit, thuajse gjithë jetën e kalojnë në agjërime. Ashtu siç gjatë muajit të agjërimeve, besimtarët heqin dorë edhe nga gjërat e lejuara, në të njëjtën mënyrë, besimtarët e kohës së profetit heqin dorë nga nevojat e tyre të drejta, nga dëshirat e tyre të drejta: herë për hir të besimit, e herë për shkak të persekutimeve që u bëhen nga armiqtë.
Kur punët vështirësohen, ne përdorim shprehjen “na lanë pa gjumë”. Gjumi ndalohet edhe gjatë agjërimeve. Disa njerëz ngrihen herët për të përgatitur syfyr, e disa të tjerë ngrihen për të falur namazin e tahaxhudit. Në të njëjtën mënyrë, gjatë kohës së ardhjes së një profeti, besimtarët e tij mbetën pa gjumë për shkak të vështirësive të ndryshme që u bien. Edhe në këtë aspekt, gjithë jeta e tyre është sikur të jetë në agjërim.
Gjatë ramazanit rëndësi e veçantë u jepet lutjeve dhe namazit të tahaxhudit. Në të njëjtën mënyrë, edhe gjatë kohës së një profeti, xhematit të besimtarëve i duhet të kalojnë jetën duke u lutur, sepse përgjegjësia me të cilën ata ngarkohen, mbetet përtej fuqisë së tyre. Nuk ka popull të ndonjë profeti, i cili të ketë dalë fitues me forcën e vet. Çdo herë kur vjen ndonjë profet, fitorja i vjen përmes lutjeve dhe përgjërimeve. E nëse xhemati i tij e kupton ashtu siç duhet detyrën e tij dhe qëllimin e ardhjes së profetit, atëherë padyshim atyre u bëhet i ndaluar gjumi i natës. Ata vazhdimisht çohen për të falur tahaxhudin, luten, përgjërohen dhe qajnë para Zotit që Ai t’ua mbulojë gabimet dhe t’ua dhurojë sukses përmes bekimit të Tij. Nëse ndonjë popull nuk vepron në këtë mënyrë dhe kujton se vetëm duke kontribuar para, ose vetëm përmes forcës së tyre, pa bërë lutje e përgjërime gjatë netëve në tahaxhud e në namazet e tjera, atëherë ai popull duhet të jetë më naiv në të gjithë botën.
Gjatë muajit të ramazanit, për një kohë të caktuar, bëhen të ndaluara edhe marrëdhëniet bashkëshortore. Edhe kjo ndodh gjatë kohës së një profeti, kur besimtarët detyrohen të distancohen nga të afërmit e tyre, herë për shkak të kundërshtimit në besim, e herë për shkak se atyre u duhet të largohen nga shtëpitë e tyre për të përhapur besimin. Pra, ky largim u vjen herë për shkak të mosbesimit të të afërmve të tyre, e herë për shkak të besimit dhe përgjegjësisë të tyre.
Kështu që, muaji i ramazanit nëse në njërën anë, është një sprovë për një individë për besimin dhe përkushtimin e tij dhe do të mbetet i tillë deri në ditën e kiametit, atëherë, në anën tjetër, ai është një mësim dhe udhëzim për besimtarët e profetit, të cilët mund të kenë sukses vetëm duke e ndjekur atë. Nëse xhemati i tyre nuk bëhet i gatshëm për të hequr dorë edhe nga të drejtat e tyre dhe nga nevojat e tyre të lejuara, atëherë asnjë individ prej tyre nuk mund të bëhet i dobishëm për xhematin vetëm duke pohuar se i quan haram gjërat që janë haram dhe dëshiron t’i përdorë të gjitha gjërat e lejuara. Gjatë ardhjes së një profeti, vetëm ai mund t’i shërbejë fesë siç duhet, i cili jo vetëm që heq dorë nga gjërat e ndaluara, duke i kujtuar si të ndaluara, por në disa raste, për hir të dobisë së fesë, ndalon për vete edhe disa nga gjërat e lejuara.
Zoti krijon një “kontradiktë” të çuditshme gjatë kohës së profetëve. Disa gjëra që deri para ardhjes së një profeti mbetën të ndaluara, profeti i shpall të lejuara. Siç është komunikimi me Zotin, takimi me Të. Njerëzit para ardhjes së profetit, këtë gjë e kujtojnë si të ndaluar. Profeti vjen dhe e shpall të lejuar. Po ashtu, ndodh edhe e kundërta: disa gjëra që konsiderohen si të lejuara, madje mbetën të tilla edhe më vonë, gjatë kohës së një profeti bëhen të ndaluara, për shkak të kërkesave të besimit dhe të përhapjes së tij. Mijëra herë ndodh që xhemati i besimtarëve detyrohet të heqë dorë nga të ngrënit e të pirit, nga pronat e tyre, nga dëshirat e tyre joshëse, nga atdhedashuria, të cilën Profeti Muhammed s.a.v.s. e quajti një pjesë të besimit. Pra, të gjitha këto gjëra të lejuara, xhemati i besimtarëve detyrohet t’i quajë të ndaluara për vete. Nëse ndonjë besimtar nuk e bën këtë në kohën kur kërkohet prej tij, atëherë besimi i tij bëhet i pavlefshëm. Atdhedashuria është pjesë e besimit, por Zoti i Lartësuar nganjëherë urdhëron besimtarin për mërgim dhe ai detyrohet të largohet nga vendi i tij. Po ashtu, Profeti Muhammed s.a.v.s. tha: “ai që vritet duke mbrojtur pasurinë e tij është dëshmor”,[1] por, besimi nganjëherë i kërkon të heqë dorë nga pasuria. Pra, një gjë, që në kohë të tjera mbetet pjesë e besimit, gjatë kohës së profetit, për shkak të kërkesave të fesë, bëhet e ndaluar, madje rreptësisht e ndaluar. Nëse dikush, edhe në ato rrethana, këmbëngul për ta marrë atë, konsiderohet jobesimtar. Kështu që, profetët kur vijnë, disa gjëra të ndaluara i bëjnë të lejuara, e disa gjëra të lejuara i bëjnë të ndaluara. Po të mos ndodhë kjo, nuk mund të vendoset modeli i vërtetë i besimit.
… Kur një popull jeton larg në kohë nga profeti i tij, atëherë edhe sikur 50 përqind e njerëzve të tij të kenë besimin dhe kalojnë jetën e tyre sipas tij, konsiderohet një arritje e kënaqshme. Por gjatë kohës së profetit, 99 përqind e njerëzve të tij duhet të kenë besimin dhe të kalojnë jetën e tyre sipas tij, sepse nëse populli prishet që në kohën e profetit, atëherë xhemati i tij nuk mund të ruhet. Pas kohës së profetëve, mbrojtja e fesë nuk është më e nevojshmja, por praktika e besimtarëve sipas asaj feje, kurse gjatë kohës së profetit mbrojtja e saj është më e nevojshmja. Pra, gjatë kohës së profetit, nuk është i nevojshëm vetëm besimi individual, por edhe ai kolektiv. Gjersa nuk lind besimi kolektiv dhe nuk paraqiten sakrificat kolektive, nuk plotësohet qëllimi i ardhjes së profetit. Gjithashtu, derisa nuk plotësohet qëllimi i ardhjes së profetit, populli i tij nuk mund të lirohet nga përgjegjësia e tij, madje do të quhet fajtor, pasi përgjegjësia me të cilën ishte i ngarkuar, nuk e ka përmbushur akoma.
Prandaj, çdo ramazan na duhet të sjellë këtë mësim dhe kujtim që ashtu siç muslimanët janë të obliguar të agjërojnë një muaj në një vit, ne gjithë vitin duhet ta kemi si në muajin e ramazanit. Për ne agjërimet nuk janë vetëm për një muaj, por për dymbëdhjetë muaj. Derisa Islami nuk do të përhapet edhe një herë dhe derisa gjithë njerëzit e botës nuk e përqafojnë fenë Islame, deri atëherë, xhemati ynë nuk ka vetëm një muaj agjërimi, por të gjithë muajt. Shembulli ynë është njësoj si i atij plaku, të cilin kur dikush e pyeti se sa është nisabi i zekatit, ai i tha: për gjithë të tjerët, 1 për 40 dinarë, por për mua, 41 për 40 dinarë, sepse Zoti ka sjellje të veçantë me mua. Ai Vetë më plotëson të gjitha nevojat dhe kam premtimin e Tij që Ai do të jetë Kujdestari im. Edhe pas këtij premtimi, nëse unë grumbulloj para, atëherë për mua ato nuk janë të lejuara dhe duhet t’i kthej, madje një dinar më shumë si gjobë për shkak se kam menduar për veten kur Zoti i Lartësuar premtoi të më plotësojë të gjitha nevojat. Kjo është gjendja jonë. Për njerëzit e thjeshtë, vetëm një ndër dymbëdhjetë muaj vjen si muaji i agjërimeve, por për ne gjithë viti duhet të jetë i agjërimeve, pra gjithë jetën duhet ta kalojmë sikur të jemi në muajin e ramazanit. Nuk e kam fjalën që të mbajmë agjërim gjithë vitin, pasi kjo është e ndaluar. E kam fjalën që besimtarët duhet t’u nënshtrohen porosive të Allahut në atë mënyrë, që të heqin dorë edhe nga gjërat e lejuara, duke i konsideruar ato si të ndaluara”.

0 comments:

Post a Comment