Presidenti tregon sekretin e suksesit në Ligën e Europës.
“Kemi dhënë leksione ndershmërie për futbollin shqiptar”
Presidenti
i klubit verior, Safet Gjici, është krenar për atë që po arrin skuadra
ku ai investon prej tri vitesh. Si një model i korrektësisë në paga,
premio, shpenzime dhe trajtim ushqimor e mjekësor për ekipin, Gjici
mundohet të jetë modest në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”.
Keni
hedhur një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën “play-off” të
Ligës së Europës, si asnjë ekip tjetër shqiptar. Cila është ndjesia juaj
pas këtij suksesi të radhës?
Pa diskutim që fitorja ndaj
Metalurgut është historike. Sot Kukësi është klubi më i suksesshëm
shqiptar. Ne vetëm para tri vitesh ishim në Kategorinë e Dytë, çka nuk
duhet ta harrojmë. Ky është sukses i madh, që u dedikohet të gjithëve,
që nga drejtuesit, stafi, lojtarët e deri te punëtori më i thjeshtë i
fushës. Të gjitha hallkat kanë funksionuar në përsosmëri, por dua të
veçoj dyshen Cungu-Starova, që kanë ditur të harmonizojnë mirë ekipin
dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarët. Mbi të gjitha, ata kanë
ditur të triumfojnë ndaj kundërshtarëve, ndonëse me më shumë emër dhe
histori se klubi ynë. Unë kam një parim në punën time. Mbaroj një punë
dhe filloj tjetrën, pra pa eufori. Ndeshja e parë me Metalurgun tashmë
është një kapitull i mbyllur dhe duhet të mendojmë për tjetrën.
Ju presin 90 minuta të tjera në Ukrainë, si i parashikoni?
Synojmë
kualifikimin. Ky është objektiv që duhet arritur, pasi ndeshja e parë
nuk lë ekuivok për të dytën. Ekipi i ka të gjitha mundësitë për ta
kaluar turin. Stafi teknik dhe lojtarët kanë mbështetjen e duhur nga ne
si drejtues. Dy ditë më parë ne shpërndamë 100 mijë euro premio. Janë
gati dhe 200 mijë të tjera, gjithnjë nëse ekipi kalon edhe Metalurgun.
Po bëjmë shpenzime marramendëse në këto ture, pasi po udhëtojmë në vende
të largëta. Ekipi nuk është shpërndarë asnjë ditë, prandaj duhet ta
kalojmë Metalurgun. Kualifikimi për në fazën “play-off” të Ligës së
Europës do e kthente në një legjendë Kukësin.
Kukësi ka fituar tashmë simpatinë e shumë tifozëve shqiptarë. Cili mendoni se është sekreti i suksesit të skuadrës suaj?
Absolutisht
që kemi bërë për vete shumë tifozë me këtë paraqitje. Besoj se
rezultatet tona kanë nga pas një parim që pakkush e ka. Kukësi im luan
pastër dhe ky mendoj se është çelësi i suksesit. Mbarë tifozëria që na
mbështet, pavarësisht se ku banon, besoj se e ka dalluar këtë te skuadra
jonë. Futbolli shqiptar ka nevojë për një model loje dhe ndershmërie,
siç ka luajtur Kukësi. I kemi dhënë leksione ndershmërie futbollit
shqiptar. Këtu nuk paragjykoj askënd, flas vetëm për ekipin tim. Pazare
s’kemi bërë dhe s’do të bëjmë kurrë. Gjithçka do ta fitojmë me djersë.
Unë jam krenar që flamuri i Kukësit shpaloset nëpër Europë, natyrisht
bashkë me flamurin tonë kombëtar.
Deri sa do të vazhdojë rruga juaj në krye të klubit të Kukësit?
Unë
e dua me shpirt futbollin, por nuk mund të investoj pambarimisht.
Ndoshta një ditë do e ndjek vetëm si tifoz, por hëpërhë jam i
përkushtuar maksimalisht te Kukësi. Marr mesazhe të ndryshme dhe lexoj
lajme në gazeta për të ardhmen time. Unë jam president i Kukësit dhe i
përkushtuar maksimalisht për këtë klub. Di që ka oferta për lojtarë, por
edhe për president. Ndryshimi është se të parët marrin parà, ndërsa të
dytët japin. Unë si president nuk kam deklaruar asnjëherë se do e lë
Kukësin dhe do shkoj në një tjetër klub. Koha do të provojë gjithçka,
por unë do vijoj të jem president i Kukësit. Jam në kulmin a arritjeve
me klubin në Kupat e Europës dhe mendoj vetëm për ekipin tim.
Ju kanë shqetësuar thashethemet e ditëve të fundit?
Nuk
i ndaloj njerëzit të imagjinojnë dhe të shkruajnë. Dëgjoj vazhdimisht
sikur unë do të largohem, madje edhe çudira të tilla sikur ne do t’i
trukojmë ndeshjet. I kam dëgjuar këto edhe nga intelektualë, mirëpo loja
dhe rezultati janë krejt tjetër. Ne s’kemi humbur në pesë ndeshje
radhazi në Europë. Ma gjeni shembullin tjetër në këto nivele. Sa për
investimet, unë klubin nuk e kam investim të parë dhe nuk mund të
investoj pambarimisht në sport. Do vijë një ditë që do të investojë
dikush tjetër dhe kjo është krejt normale. Unë nuk jam i përjetshëm te
Kukësi, edhe pse kam bërë maksimumin tim për ta çuar klubin në majë.
Së fundmi, a mund të na sqaroni pse ndeshja ndaj Metalurgut nuk u transmetua në asnjë kanal televiziv shqiptar?
E
di pamundësinë e shumë tifozëve për të ndjekur ndeshjen në stadium, por
ju them se asnjë televizion apo kompani nuk paguan të drejtën
televizive, qoftë edhe minimale, për këto shërbime dhe shpenzime që ne
bëjmë. Ata nuk japin reklama pa pagesë, ndërsa nga ne kërkojnë të
përfitojnë.
Klubi merr 400 mijë euro nga UEFA
Ecuria
fantastike e Kukësit në Ligën e Europës ka shtuar të ardhurat e klubit
verior. Deri në këtë moment, edhe nëse Kukësi nuk arrin të kualifikohet
ndaj Metalurgut, ka përfituar 300 mijë euro në total, si rezultat i
kalimit të dy tureve të para në këtë kompeticion. Ndërkohë, nëse Kukësi
kualifikohet për në fazën “play-off” të Ligës së Europës, pra nëse kalon
edhe Metalurgun, atëherë të ardhurat në total shkojnë 400 mijë euro. Në
këtë mënyrë, Kukësit i shtohen edhe 100 mijë euro të tjera. Nga ana
tjetër, një mrekulli e klubit verior në fazën “play-off” bën që direkt
Kukësi të përfitojë 1 milion e 300 mijë euro nga UEFA, pasi ekipi më pas
do të marrë pjesë në grupet e Ligës së Europës. Për fazën “play-off”,
UEFA hedh shortin të premten tjetër dhe, nëse Kukësi eliminon
Metalurgun, më pas mund të ketë shanse të përballet me skuadra si
Totenhem, Fiorentina apo Sevilja.
Metalurg-Kukësi do e gjykojë një turk
Një
41-vjeçar turk do të gjykojë ndeshjen e kthimit mes Metalurgut dhe
Kukësit, që do të zhvillohet më datë 8 gusht, ora 18:15, në Donjeck të
Ukrainës. Bulent Ylidirim është një arbitër i Kategorisë së Parë të
UEFA-s dhe nga sezoni 2010-2011 gjykon rregullisht ndeshje të Kupave të
Europës. Ndeshja e tij e fundit është ajo mes Sherrif Tiraspolit dhe
Sutjeskës, e luajtur më 16 korrik. Në vitin 2009, Ylidirim ka gjykuar
sfidën Vllaznia-Rapid Vjenë 0-3, por gjithashtu edhe miqësoren
Shqipëri-Qipro, që përfundoi 6-1.
Sipas Gazetës Panorama
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment