5:07 AM
0
Maskat, barrikadë makinave në aksin Reps-Rrëshen, grabisin
dy pushues kosovarë. RENEA arreston 21-vjeçarin


Grabiten me armë e maska pushuesit kosovarë në Rrugën e Kombit. Dy persona, njëri prej të cilëve u arrestua disa orë pas ngjarjes dhe tjetri është në kërkim, i kanë zënë pritë një makine në të cilën udhëtonin kosovarët, duke iu marrë paratë e sendet me vlerë, përfshirë edhe celularët.

Të gjendur në një situatë të tillë, shtetasit kosovarë, F. Ahmeti, 51 vjeç, banues në Prishtinë dhe O. Cakiqi, 55 vjeç, po nga Prishtina, janë detyruar t’u binden dy personave me maskë e armë, çka fatmirësisht ngjarja përfundoi pa asnjë të lënduar mes tyre. Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi dje rreth orës 01:30, në fshatin Vig, në aksin Reps-Rrëshen. Skema e grabitjes është e njëjtë me atë të ndodhur më 11 korrik, pré e së cilës ra një familje malazeze.

Sipas Policisë, dy kosovarët ishin nisur nga Kosova dhe kishin destinacion Durrësin për të kaluar disa ditë pushime. Për ndalimin e mjetit grabitësit kishin vendosur gurë në rrugë, në një distancë rreth 50 metra, duke e bërë atë të kalueshme me vështirësi vetëm në një korsi. Njëri prej autorëve kishte dalë në rrugë, ndërsa tjetri anash saj. Errësira ka bërë që drejtuesi i mjetit të mos e vinte re në distancë të largët barrierën e vendosur në rrugë. Ai ka frenuar shumë afër vendit e, për rrjedhojë, e ka pasur të pamundur të kalonte dhe t’u shpëtonte maskave. Pasi ka ndalur, dy autorët, të cilët i kishin organizuar më parë koordinimet dhe veprimeve të tyre, kanë dalë duke vepruar në një kohë të shpejtë.

Për të shmangur rezistencën, njëri prej tyre ka qëlluar me armë automatik në ajër duke shkaktuar tmerr e panik tek udhëtarët. Pushuesi u është bindur grabitësve duke dalë nga makina bashkë me pasagjerin. Ai u ka dorëzuar paratë dhe celularin. Sipas Policisë, autorët i kanë marrë 410 euro dhe më pas e kanë lënë të lirë të largohej pa i shkaktuar dëmtime asnjërit prej tyre. Me të mbërritur në Komisariatin e Rrëshenit, ai ka kryer denoncimin për ngjarjen e ndodhur. Për kapjen e autorëve u organizua një operacion i gjerë policor, përfshi edhe helikopterë. Forcat speciale nga Shkodra dhe një grup i RENEA-s u nisën drejt Mirditës dhe nisën kërkimet nëpërmjet ajrit. Për pasojë, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve. Rreth orës 15:00, efektivët në operacion arritën të lokalizonin dhe të kapnin shtetasin Ardit Maxhuni, 21 vjeç, nga fshati Grykë Lumi i Pukës. Ai po udhëtonte nëpërmjet malit për të mbërritur në banesën e tij.

Në momentin e arrestimit atij iu gjet e gjithë shuma e parave (do t’i ndanin më vonë me autorin tjetër), një armë automatike si dhe maska me të cilën ishte kryer grabitja. Anton Nikolli, 21 vjeç, nga Rrësheni, banues në Durrës, i dënuar më parë për “vjedhje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, është shpallur në kërkim. “Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi Anton Nikolli është autor i disa ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura kohët e fundit në këtë aks rrugor, dhe konkretisht: ngjarjen e datës 03.04.2013, në vendin e quajtur Reps-Mirditë, ku është vjedhur me armë shtetasi A. Kamberi; ngjarjen e datës 11.07.2013, në vendin e quajtur Reps-Mirditë, ku është vjedhur me armë shtetasi E. Nastradini (nga Ulqini)”, thuhej në komunikatën e Policisë.

Grabitja e ulqinakeve
Më 11 korrik, babë e bir nga Ulqini u grabitën në afërsi të Rrëshenit, në autostradën Durrës- Kukës. Në atë kohë, ata denoncuan se dy persona me maska u kishin ndërprerë rrugën nga barrikada me gurë dhe goma makinash. At e bir, duke e parandier rrezikun, kanë tentuar të shpëtojnë duke kapërcyer gurët, por kanë hasur në breshëri armësh. Plumbat u kanë dëmtuar gomat, çka ka bërë që pas 700-800 metrash të ndalen. Sipas tyre, dy persona me maska e armë u janë afruar duke i urdhëruar t’u dorëzonin sendet që kishin me vete. Pavarësisht denoncimit, ngjarja e ndodhur muajin e shkuar mbeti e pazbardhur deri dje.

0 comments:

Post a Comment