2:55 AM
0
Sipas Gazetës Panorama...


Kallëzimet, në 10 për qind të denoncimeve, bashkëshortët padisin gratë për dhunë në familje
. Statistikat e Prokurorisë: Në gjashtë muaj, 107 raste në Tiranë.

Statistikat e Prokurorisë së Tiranës evidentojnë një rritje të menjëhershme të rasteve të dhunës në familje gjatë dy muajve të fundit. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit thanë dje për gazetën “Panorama” se nga data 1 janar 2013 deri më 31 korrik të këtij viti, organi i akuzës ka regjistruar gjithsej 107 procedime penale për dhunë në familje. Referuar të dhënave zyrtare nga Prokuroria, mësohet se në 90 për qind të rasteve janë gratë ato që denoncojnë burrat për ushtrim dhune, ndërsa dhjetë për qind e denoncimeve kanë pasur të bëjnë me të kundërtën: gratë ushtrojnë dhunë fizike apo psikologjike ndaj burrave.

“Për numrin total të procedimeve penale prej 107 rastesh, Prokuroria ka kërkuar arrest me burg dhe kjo masë është miratuar nga Gjykata në 35 raste”, thanë burimet nga organi i hetimit. Sipas tyre, autorët e rasteve të tjera të dhunës në familje ndiqen penalisht në masat e sigurisë “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitjeje”. “Nga periudha janar 2013 deri në fund të korrikut, pra deri ditën e djeshme, është vendosur pushimi i 14 procedimeve penale për dhunë në familje, pasi akuza nuk është provuar. Ndërkaq, deri tani janë dërguar në gjyq 48 procedime me po kaq persona të pandehur”, thanë burimet nga organi i akuzës.

Sipas tyre, 15 persona në masën arrest me burg janë duke u gjykuar aktualisht për aktet e dhunës që kanë kryer në familje. Ndërkohë, për 45 procedime penale të tjera në lidhje me këtë vepër penale Prokuroria thotë se po vazhdon hetimet. “Sa u përket dy muajve të fundit, qershor-korrik 2013, është vënë re një rritje e rasteve të dhunës në familje, pasi në vetëm dy muaj janë regjistruar 34 procedime penale për këtë vepër”, thanë burimet e Prokurorisë.

ASHPËRSOHEN MASAT E DËNIMIT

Duke marrë shkas nga rritja e rasteve të dhunës në familje gjatë muajve të fundit, Prokuroria ka ashpërsuar qëndrimet e saj ndaj autorëve të këtyre veprave penale. “Pas shtimit të rasteve të kësaj natyre, është vendosur që për autorët e dhunës në familje, kur ekzistojnë rrethanat rënduese të veprës së përsëritur dhe pasojave serioze, apo edhe të rrezikut për ndodhjen e një krimi tjetër, Prokuroria ka kërkuar dhe do të kërkojë ‘arrest me burg’ ndaj çdo autori që kryen një vepër të tillë”, thanë burimet nga organi i akuzës.

Sipas tyre, ndonëse çështjet e dërguara në gjyq janë në fazën e shqyrtimit dhe ecuria e procesit varet nga gjykata, organi i akuzës do të kërkojë maksimumin e dënimit të parashikuar nga ligji për autorët e akteve të dhunës në familje. “Ka pasur një fluks rastesh me persona të dërguar në Gjykatë gjatë javëve të fundit për dhunë në familje dhe për shumicën prej tyre është kërkuar masa arrest me burg. Gjithashtu, janë miratuar shumica e rasteve kur policia ka arrestuar në flagrancë autorin e veprës penale”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, ashpërsimi i qëndrimit ndaj krimeve në familje ka ardhur edhe për shkak të vëmendjes së veçantë të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme, me qëllim ndëshkimin dhe parandalimin e kësaj vepre penale.

0 comments:

Post a Comment