4:28 AM
0
Agim Vinca
 
 “I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.
                                                Xh. Spahiu, Borxhet e mia

Derisa viti që lamë pas, 2012-a, për shqiptarët ishte, me të drejtë, vit feste, viti në të cilin kemi hyrë, 2013-a, do të duhej të ishte: vit kujtese.
Në ç’kuptim?
Shqipëria, pas një robërie të gjatë gati pesëshekullore, u shpall, më 28 nëntor 1912, “e lirë dhe e mosvarme”, por shqiptarët dhe trojet e tyre, me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha, u ndanë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, duke mbetur, më tepër se gjysma e tyre, nën sundimin e shteteve fqinje: Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Kjo padrejtësi e madhe historike: ndarja e një kombi në dysh, që ndodhi njëqind vjet më parë, u shoqërua me krime e masakra të tmerrshme, që ushtruan trupat serbo-malazeze dhe bullgare mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.
Është detyrë e shkencës sonë, e historisë dhe e historianëve në radhë të parë, që t’i kujtojnë këto ngjarje, jo për të ngjallur urrejtje mes popujve, por për të njohur të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të përsëritet, ashtu siç u përsërit në Kosovë në fund të shekullit që lamë pas.
Kur i lexojmë dhe rilexojmë sot dëshmitë e para njëqind vjetëve, shohim se ngjarjet e përgjakshme të fundshekullit XX, ishin, në masë të madhe, reprizë e atyre të fillimit të shekullit dhe se, si të parat, ashtu edhe të dytat, kishin frymëzim e synime politike: pushtimin e territorit nëpërmjet spastrimeve etnike.
Janë të shumta dëshmitë e udhëtarëve, gazetarëve, publicistëve dhe diplomatëve të huaj për krimet që bënë trupat serbe, malazeze dhe bullgare gjatë Luftërave Ballkanike në viset shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme, por për ta kursyer hapësirën e, besa, edhe ndjenjat e lexuesve, po ndalemi vetëm te disa sosh.
Mikja e shqiptarëve, shtegtarja angleze Miss Edith Durham (1863-1944), e cila ka lënë disa libra me shkrime për Ballkanin, tregon se gjatë tetorit të vitit 1912, kur ndodhej në Mal të Zi dhe kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, kërkoi që të vizitonte Prizrenin, por pushteti serb ia ndaloi udhëtimin. “I pyeta malazeztë se përse nuk më lejohej të shkoja atje - dëshmon zonja Durham dhe vazhdon - ndërsa ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”.
Dhe, vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqipërisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë dhe buzë të prera”, vepër e pushtuesve që mëtonin paturpësisht se po sillnin “civilizimin” në ato vise.
Historiani anglez Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, sjell dëshmi të shumta për vrasjet masive të shqiptarëve në vitet 1912-1913, për djegien e fshatrave të tyre dhe krimet e tjera të bëra mbi ta. Edhe pse “shumicës së gazetarëve të huaj iu ndalua hyrja në Kosovë”, thekson Malcolm-i, megjithatë, e vërteta për një pjesë të mizorive të kryera në Kosovë arriti të depërtonte në botë. Një gazetar danez raportonte nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë 5.000 shqiptarë pas pushtimit të qytetit, për të shtuar se “fushata serbe kishte marrë karakterin e një masakre të tmerrshme mbi popullatën shqiptare”. Disa të dhëna depërtuan në Evropë nëpërmjet Kishës Katolike. Kështu, një prift vendës katolik, sipas gazetës “Daily Telegraph”, informonte për një masakër në Ferizaj, ku komandanti serb u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të ktheheshin pa frikë në shtëpitë e tyre dhe kur ata e kishin bërë këtë ishin pushkatuar që të gjithë (rreth 300-400 veta), aq sa në këtë qytet kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15-vjeçare. Arqipeshkvi katolik i Shkupit, Lazër Mjeda (i vëllai i poetit Ndre Mjeda), në një raport të datës 24 janar 1913 dërguar Vatikanit, shkruante se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, “edhe pse qyteti ishte dorëzuar pa rezistencë”, kurse Gjakova ishte shkretuar krejtësisht. Akoma më keq kishte kaluar qyteti i Prizrenit, që, sipas raportit, ishte shndërruar në një “mbretëri të vdekjes”. Ushtarët serbë trokasin në dyert e shqiptarëve, i marrin burrat dhe i pushkatojnë në vend (numri i të vrarëve arrin në 400), kurse e tërë kjo plojë shoqërohej me grabitje, plaçkitje e dhunime, sepse urdhri i ditë ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë, madje jo vetëm lejohet, por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe kulmi i të gjithave: komandanti ushtarak serb, Bozho Jankoviq, urdhëron parinë e qytetit me revole në dorë që t’i dërgonte letër falënderimi kral Petrit për “lirinë” që ua kishte sjellë! (Cituar sipas: Noel Malcolm, Kosova, një histori e shkurtër, “Koha”, Prishtinë 1998, f. 264-265).
Revolucionari i njohur rus, Lav Davidoviç Bronshtajn, i mbiquajtur Trocki (1879-1940), i cili gjatë Luftërave Ballkanike ishte korrespondent i gazetës “Kijevskaja Misl”, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë në viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Në raportin e datës 23 dhjetor 1912, nën titullin “Krimet e shovinizmit dhe të demokracisë”, Trocki shkruan: “Tmerret filluan të duken posa kaluam kufirin. Në orën pesë pas dite, kur iu afruam Kumanovës, dielli kishte filluar të perëndonte dhe të binte terri. Sa më shumë që ngrysej qielli, aq më shumë shndrisnin flakët e zjarrit, që ngjiteshin lart në qiell. Gjithçka rreth nesh digjej. Të gjitha fshatrat shqiptare ishin në flakë…”. Më tutje autori tregon se pamjet e këtilla e kanë ndjekur gjatë gjithë udhëtimit të tij nga Kumanova në Shkup. Në stacionin e trenit në Shkupin e shkretuar, një ushtar i dehur serb, çetnik, me shishen e rakisë në njërën dorë dhe me kamën në tjetrën, luan me shqiptarët e zënë robër si macja me miun, duke u bërtitur: “Ngrihuni!”, “Uluni!” dhe duke i detyruar të pinë raki. Ndërsa një ushtar tjetër, esull, i thotë udhëtarit për njerëzit me të cilët tallej shoku i tij: “Këta janë arnautë. Tash do t’i therin e do t’i bëjnë copa-copa”.
Në pamundësi që t’i shpëtojë ata, por edhe duke mos dashur të shohë me sytë e tij skena të tilla, Trocki vazhdon rrugën, por kur arrin te Ura e Gurit, në qendër të qytetit, i del para “një grumbull kufomash me koka të prera”. Që të gjithë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga çetnikët.
Trocki jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët, duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes.
”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre. ‘As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njëri nga ata. Por te asnjëri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një bullë (kështu quhen te myslimanët gratë që zbukurojnë nuset), gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.
“Një natë në kafene takova një toger, njësia e të cilit ishte stacionuar në Ferizaj. ‘E çka bëni atje, në mes të shqiptarëve?’ - e pyeta. ‘Pjekim zogj dhe vrasim arnautë” - m’u përgjigj. ‘Por jemi lodhur edhe nga kjo’, shtoi duke hapur gojën nga mërzia“.
“Po si mund të silleni kaq brutalisht?” - e pyeta i shokuar nga fjalët e tij. “Nuk e di as vetë. Mësohesh. Në luftë, siç e dini, komanda jep urdhra dhe ju duhet t’i zbatoni”. Kur i thashë se po silleshin si banditë, duke vrarë e plaçkitur njerëz të pafajshëm, togeri u nxeh pak dhe filloi të arsyetohej. “Jo, nuk  është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, u përmbahemi rregullave… nuk vrasim njerëz nën 12 vjeç! Për paramilitarët nuk mund të garantoj asgjë; ata nuk njohin kufij. Të rekrutuar nga djerraditës, të papunë, keqbërës dhe fundërrina të shoqërisë - ata vrasjet, plaçkitjet dhe dhunën i kanë shndërruar në argëtim”.
Këto pasazhe të llahtarshme për krimet e para njëqind vjetëve, ngjajnë si veja me venë me krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, veçanërisht ato të periudhës së bombardimeve: mars-qershor ‘99. Nuk ka pothuajse kurrfarë dallimi mes tyre. Vetëm koha ndryshon: falë mundësive pakrahasueshëm më të mëdha të komunikimit bota merr vesh për atë që ndodh në Kosovë, kurse Aleanca Veriatlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e sodit me indiferencë tragjedinë e një populli të tërë, por ndërmerr diçka për ta mbrojtur atë, qoftë edhe nga ajri, ndryshe nga ç’ndodhte në kohën e Trockit.
“Nuk isha në gjendje ta duroja këtë atmosferë; nuk e kam lukthin aq të fortë. Interesi politik, entuziazmi dhe kërshëria morale - të gjitha u zhdukën. Sërish u gjenda në tren, në vagonin e bagëtisë… Të iki nga ky vend, të largohem sa më parë dhe sa më larg!” - shkruan Trocki në “Kijevskaja Misl”, në artikullin e datës 23 dhjetor 1912, i cili, tok me shkrimet e tjera të tij nga gadishulli i quajtur ndryshe “fuçi baruti”, janë përfshirë në vëllimin e gjashtë të veprave të tij të zgjedhura.
Afërsisht në të njëjtën kohë, një diplomat i huaj, ambasador i një shteti perëndimor, harton një raport të hollësishëm për mizoritë e ushtrisë serbe në krahinën e Dibrës, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit. Ky raport, i botuar në gazetën italiane “Corriere delle Puglie” të datës 21 dhjetor 1913 dhe në gazetën “Përlindja shqiptare” të Qeverisë së Vlorës në janar 1914, është një dokument i një rëndësie të veçantë.  
Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por edhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë.
Në raportin në fjalë flitet me emra e shifra jo vetëm për qytetin e Dibrës dhe të Peshkopisë, por edhe për secilin fshat veç e veç (rreth 80 vendbanime gjithsej), aq sa mund të thuhet lirisht se ai do të mund të shërbente si model për raportet e ngjashme të shoqatave që merren me të drejtat e njeriut përkitazi me krimet e bëra në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.
“Në Klos - Bandat serbe duke u futur bajonetën masakruan: Ahmet Aliun me të vëllanë e tij, Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. Fshati u dogj krejtësisht.
Në qytetin e Dibrës - prefekti dhe komandanti i garnizonit arrestuan 18 vetë nga paria (para shpërthimit të kryengritjes), nga të cilët u pushkatuan pa gjyq: Ramiz Karamfili, Sheh Hyseini, Numan Hasani dhe Safit Beu. Kur u kthyen serbët e plaçkitën tërë qytetin dhe morën me vete një plaçkë, e cila kapërcente vlerën prej një milion lirash turke. Veç kësaj ata dogjën mjaft shtëpi dhe sidomos atë të Ali Beut, Rakip Atibit dhe Kurtish Agait, duke masakruar  gjithashtu me një egërsi të padëgjuar shumë njerëz që kishin qëndruar në shtëpitë e tyre dhe nuk kishin marrë pjesë në kryengritje. Midis të masakruarve duhen shënuar: Kurtish Aga, Behxhet Efendiu, Haxhi Syrja Efendiu, Reshit Efendi Kusari dhe Sadullah Strazimiri. Tani qyteti i Dibrës është pothuajse i shkretë, banorët janë tërhequr në male, kurse brenda në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 200 a 300 veta meshkuj dhe femra.
Në Homesh - Nga 150 shtëpi të fshatit kanë mbetur vetëm tri. Të gjitha të tjerat u dogjën pasi më parë u plaçkitën.  Pas shtypjes serbët masakruan: Musa Ismailin, Shemshedin Bajramin dhe Halil Sulejmanin, të cilët ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Nga gjëja e gjallë e fshatit morën me vete 1000 dele, 150 qe dhe 50 kuaj, kurse radhën e dytë 50 dele, 9 qe dhe 9 kuaj.
Në Zogaj - Fshati qe plaçkitur krejtësisht, orenditë, zahiretë dhe të gjithë gjënë e gjallë e morën me vete, 124 shtëpi u dogjën. Ndërsa flakët po përhapeshin në mënyrë të frikshme u hodhën në flakë, madje të gjallë: një grua me emrin Rihane, dy fëmijë Fazilea dhe Myslimea, si dhe një fëmijë 7 vjeç i quajtur Bajram. Trupat e tyre u kthyen në hi. Pastaj u masakruan: Haxhi Myslimi, Neziz Hazizi, Halil Numani dhe Zenel Hasani. Kur u kthyen herën e dytë serbët masakruan: Mustafa Myslimin, Haziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Rrëmbyen 7 lopë dhe 6 dele.
Në Bllatë - Fshati u plaçkit dhe më pas u dogj krejtësisht. Banorët u masakruan të gjithë pa dallim moshe dhe seksi. Qe një masakër e vërtetë që na pengoi të bënim një listë të plotë të viktimave. Veç kësaj serbët kapën dhe rrëmbyen 250 dhen, 37 lopë dhe 28 kuaj”.
(Cituar sipas librit “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri, botim i vitit 2012, vepër në të cilën është botuar i plotë raporti i diplomatit të huaj, i cili i ka mbledhur personalisht të gjitha të dhënat, duke vizituar një për një vendet e masakrave në terren).
Njësoj vepron autori i raportit në fjalë edhe me shtatëdhjetë e sa vendbanime të tjera dibrane, duke regjistruar me emër e mbiemër të vrarët dhe të masakruarit, burra, gra e fëmijë; duke dhënë numrin e saktë të shtëpive të djegura dhe të bagëtive të grabitura: kuaj, qe, lopë, dhen, sepse atëbotë nuk kishte vetura, kamionë, traktorë, televizorë, frigoriferë dhe mjete të tjera teknike si ato që u grabitën nga policët dhe paramilitarët serbë në ’99-n, pa harruar as paratë e gatshme, kryesisht marka gjermane, shuma e të cilave, po qe se do të bëhej një llogari qoftë edhe e përafërt, do të arrinte shifra marramendëse.
Është për të ardhur keq, por ne nuk kemi as sot, tre-katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, një evidencë kaq të saktë, me shifra e fakte konkrete, për vrasjet dhe plaçkitjet që u bënë në Kosovë, në secilin cep të saj, në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s (24 mars-12 qershor 1999) nga policia, ushtria dhe formacionet paraushtarake serbe.
Me të drejtë flasim për gjenocid a tentim gjenocidi, por pa e kompletuar dosjen e krimit, kryesisht për shkak të ngathtësisë dhe indolencës sonë të njohur. Madje edhe kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (Serbe), i dënuar nga Gjykata e Hagës, pranon fajësinë për krimet e bëra në Kosovë: vrasjet masive, deportimin e popullatës, djegien e pronës, zyrtarët tanë heshtin; thua se ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë argument kaq të rëndësishëm në bisedimet me palën serbe, ta nxjerrin troç në tavolinë, duke kërkuar nga kreu shtetëror serb, presidenti dhe kryeministri aktual, që të ndjekin rrugën e gjeneralit Ojdaniq, i cili, sikurse edhe ata vetë (Nikoliqi e Daçiqi), ishte në shërbim të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Dëshmitë e Trockit, të zonjës Durham dhe të diplomatit italian (?) të cituara më lart, të cilat nuk mund të lexohen me gjakftohtësi, paraqesin vetëm majën e aisbergut të mizorive serbe mbi popullatën shqiptare në vitet 1912-1913, dëbimi dhe shfarosja e së cilës ishte program dhe strategji e të gjitha regjimeve të shtetit serb - nga Karagjorgjeviqët e Pashiqi e gjer tek Rankoviqi e Millosheviqi.
Në Konferencën e Londrës (1912/13), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, qyteti i Dibrës dhe Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike.
Ja ç’thotë lidhur me këtë çështje - për marrjen e Dibrës dhe shuarjen me gjak të kryengritjes së ’13-s, socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq: “Kryengritja e shqiptarëve në muajin shtator, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizonte afër tri divizione, është një shembull klasik që tregon se si mund të shkaktohen luftërat koloniale. Nga lindja, okupimi i ushtrisë serbe shtrihej deri në grykat e maleve… Ajo e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike dhe hambarët e ushqimit”. (Cituar sipas Xhafer Martinit, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun, Tiranë 2009, f. 23).
Ndarja e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij njëqind vjet më parë u la në gjak. Ky është një fakt, që s’mund e s’bën të heshtet, e aq më pak të mohohet. Historia është mësuese e jetës. Kur i shërben të vërtetës e jo koniunkturës!
Ja përse viti 2013 duhet të jetë vit i ndriçimit të së vërtetës historike të para një shekulli, por edhe më parë e më pas, në funksion të lirisë dhe paqes e jo të urrejtjes dhe hakmarrjes. Le të na lejohet, pra, të propozojmë që ky vit të shpallet - në nivel kombëtar (dhe jo vetëm) - Vit i Kujtesës.
Dhe jo për të nxitur ndjenjën e revanshit ndaj fqinjëve tanë, tek të cilët, fatkeqësisht, siç tregojnë edhe ngjarjet e kohëve të fundit (heqja e lapidarit në Preshevë; intervista luftënxitëse e kreut të partisë naziste greke “Agimi i Artë”, deputet në parlamentin grek; sulmet e paradokohshme ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup etj.), nuk është fashitur ende urrejtja dhe mosdurimi ndaj shqiptarëve si komb, por për të nxjerrë mësim nga e kaluara.
Sepse, siç thoshte filozofi amerikan me origjinë spanjolle, Santayana (George Santayana, 1863-1952): “Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”.

0 comments:

Post a Comment