4:24 PM
0


Bekim Bici

Rëndësia dhe realiteti i lutjes;
A vazhdon të komunikojë Allahu
me ne?!

Një çështje shumë e rëndësishme në ditët e sotme që do diskutuar, është ajo e rëndësisë së lutjes, dhe se, a Allahu flet akoma edhe pas largimit nga kjo jetë të Hazret Muhamedit s.a.v.s, apo komunikimi me Allahun e Madhëruar ka qenë e mundur vetëm me anë të të Dërguarit të Tijs.a.v.s.. Një pjesë e hoxhallarëve madje do të thoja pjesa dërmuese e tyre, janë të mendimit se Allahu i Gjithëmëshirëshëm tashmë nuk komunikon më, dhe se ky komunikim është mbyllur me profetin e Shenjtë s.a.v.s..
Jo pa arsye dhe pa të drejtë unë do të pyesja se nëse ky komunikim është mbyllur dhe Allahu (naudhubillah) nuk komunikon më me ne, atëherë pse lind nevoja që ne t’i lutemi atij? Nëse ne lutemi ai nuk do të na përgjigjet sipas kësaj logjike sepse komunikimi është mbyllur tashmë, po sa e vërtetë është kjo? Si është e mundur që në çdo namaz ne kërkojmë mbrojtje dhe udhëheqje në rrugën e drejtë nga Allahu i Madhërishëm ndërkohë Ai (subhanallah) nuk na përgjigjet? Allahu në Kuranin Famëlartë thotë:
“Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, (edhe robërit e Mi) duhet t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe të më besojnë Mua, që të jenë në rrugë të drejtë.”
(El-Bekare 2:187)

Duke shqyrtuar ktë ajet dalim në një përfundim logjik që, Allahu ose gënjen (naudhubilah) ose këtë e ka thënë vetëm për kohën kur jetonte Hazret Muhamedi s.a.v.s gjë që rrjedhimisht hedh dyshime mbi Kuranin Famëlartë. Por cila është e vërteta?! A mund të gënjejë Allahu (SubhanAllah)?!
 Të vërtetën e thotë vetë Kur’ani Famëlartë ku thuhet:
“ Ky është ai libër që nuk ka dyshim në të ( sepse është prej Allahut ), është udhëzim për ata që janë të devotshëm!”.
                                                                                                                                                                                      (El-Bekare 2:2)
E pra, kjo është përgjigjia e saktë dhe e vetme, por që një pjesë e madhe e hoxhallarëve, ose nuk kanë qenë të vëmendshëm në leximin e Kur’anit, ose janë aq injorantë sa nuk kuptojnë atë që thuhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë të qartë, duke nxjerrë dyshime të pabaza.
Si mundet, që Allahu nga njëra anë të na obligojë me namaz, agjërim, lexim të Kur’anit e shumë e shumë të tjera, që në vetvete janë komunikim me Të, dhe nga ana tjetër të ketë mbyllur dyert e komunikimit? Pra e vërteta është se Allahu ka folur, flet dhe do të vazhdojë të flasë me të gjithë robërit e Tij, pasi Allahu e ka premtuar këtë gjë.
Nuk është kjo çështja për të cilën ne duhet të shqetësohemi por ajo më e rëndësishmja është se si ne të arrijmë në atë nivel që të kemi lidhje të drejtpërdrejtë me Allahun, krijuesin e gjithësisë pasi që mundësia e komunikimit ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e mundur. Çfarë duhet të bëjmë dhe cila është mënyra për të arritur në këtë komunikim? Pikërisht këtë unë do të mundohem që të tregoj në vijim të kësaj teme. Profeti në mënyrë të vazhdueshme ka theksuar rëndësinë e lutjes gjë që transmetohet në hadithet e mbledhura kështu:
Hazet Xhabir bin Abdillahu r.a. tregon: “Unë kam dëgjuar Hazret Profetin Muhammed s.a.v.s. duke thënë se kujtimi më i mirë është “Lailaha ill-llah”, (d.m.th. s’ka zot tjetër përveç Allahut), dhe lutja më e mirë është “Elhamdulilah”, (d.m.th. lavdërimi i takon Allahut)”
(Tirmidhi, Kitabud Da’vat , Bab da’vatil muslimi mustaxhabah)

Duhet të dimë se mënyra më e mirë e lutjes është që së pari të falënderojmë dhe madhërojmë Allahun me gjithë fuqinë e Zemrës dhe mendjes sonë të bëra njësh dhe mandej të gjejmë në vetveten tonë vendin që i japim Allahut. Duhet të zbulojmë në veten tonë se si e shikojmë ne Allahun, e shikojmë si të Mëshirshëm apo jo, E shikojmë si Mëkatfalës apo jo, e pra kjo është ajo çka duhet të zbulojmë. Nëse ne njohim dhe besojmë Allahun si të Mëshirshëm dhe Mëkatfalës ashtu do të jetë ai gjithmmonë, nëse ne e gjemë si Ai Allah i cili i përgjigjet lutjes së lutjebërësit ashtu do të na shfaqet gjithmonë. Pra më e rëndësishmja është të zbulojmë statusin që Allahu ka tek ne. Në hadithe lidhur me këtë transmetohet:
Hazret Xhabir bin Abdillahu r.a. thotë: Një herë Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. erdhi te ne dhe na tha: “O njerëz, ushqehuni në kopshtet e Xhenetit.” Ne e pyetëm: “Ç’janë kopshtet e Xhenetit, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Tubimet për kujtimin e Allahut janë kopshtet e Xhenetit. Veçanërisht në mëngjes e në mbarim, kujtojeni Allahun. Nëse dikush dëshiron të dijë se si vlerësohet ai te Zoti i tij, atëherë ai duhet të shqyrtojë se si e vlerëson Zotin dhe ç’status i jep Atij, sepse Allahu e vlerëson robin e Tij, sipas vlerësimit që ka ai për Allahun në zemrën e tij.”
(Keshirijah, Babudh-dhikr, f. 111)

Përveç të tjerave ekzistojnë hoxhallarë që janë të mendimit se të luturit në gjuhën amëtare kur je në sexhde nuk lejohet dhe se kjo praktikë prish bën të pavlefshëm namazin.  Unë do të thoja se është komplet e kundërta, jo vetëm që namazi nuk prishet madje momenti më i mirë për të bërë lutje drejtuar Krijuesit të gjithësisë është ai i sexhdes. Këtë nuk e them nga vetja ime por nga ajo çfarë Profeti i shenjtë Hazret Muhammedi s.a.v.s praktikonte dhe na la ne si porosi. Kjo tregohet në këtë hadith:

Hazret Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë: “Robi ndodhet më afër Zotit të tij, atëherë kur ai është në sexhde. Prandaj, lutuni sa më shumë në sexhde.”
(Muslim Kitabus Salah, ma jekulu fir-ruku ves-suxhud)

 Përveç pozicionit më të favorshëm të  të luturit që është sexhdja ne duhet të kujdesemi të gjithë edhe për kohën më të përshtatshme, të artë dhe frytdhënëse të saj. Ne kujtohemi të lutemi kur jemi në vështirësi dhe kur nuk kemi rrugëdalje tjetër duke e harruar lutjen në periudhën më të madhe të jetës tonë. Ndoshta momentet e vështira Allahu na i dërgon edhe për të na treguar se: O ti njeri që nuk do të ulësh kokën dhe zemrën tënde para meje kur je i gëzuar për shkak të asaj që të kam dhënë kujtohu se ke një Allah që të shikon. Është ky Allah që ti dha këto të mira andaj lutju atij dhe falenderoje për çfarë të ka dhënë. Ndoshta këtë do të thotë Allahu i Madhërueshëm por njeriu kujtohet vetëm kur ai është në vështirësi. Kjo është ajo çfarë nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet ta harrojmë Allahun për asnjë çast, sidomos kur jemi në rehati të ngrihemi për namazin e natës, dhe të bëjmë sexhaden shenjë nga lutja e sinqertë.


Hazreti Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë: “Çdo natë, Zoti ynë zbret në qiellin e tokës, (dhe qëndron) derisa vjen pjesa e tretë e natës kur Ai thotë: Ka njeri që të më thërrasë Mua e t’i përgjigjem atij? Ka njeri që të më kërkojë Mua diçka që t’i jap atij? Ka njeri që të Më kërkojë faljen që ta fal atë.”
(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)


Hazret Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë: “Ai që dëshiron që Zoti t’i pranojë lutjet gjatë vështirësive dhe shqetësimeve, atëherë ai duhet të lutet shumë gjatë rehatisë.”
(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

“Hazret Ajshja r.a. (gruaja e Profetit s.a.v.s.) tregon: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpesh çohej natën dhe falte namaz aq shumë saqë i ënjteshin këmbët. Një ditë i thashë: O i Dërguari i Allahut, pse mundohesh kaq shumë, kur Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e tua të mëparshme dhe të ardhshme? Ai më tha: “A nuk duhet të kem dëshirë të jem rob mirënjohës i Zotit!”
(Sahih Buhari, Kitabut Tefsir, Suretul Fet’h; Muslimi)

Duhet kuptuar edhe kjo se lutjet e sinqerta nuk duhet të bëhen vetëm për vete sepse Allahu më së shumti do ata persona që luten për krijesat e tij. Nëse ne lutemi për dikë atëherë të jeni të sigurtë që Allahu o tjua dëgjojë lutjet dhe do jua kthejë shumë fish më mirë. Lutjen për të tjerët dhe nga të tjerët Profeti i shenjtë e ka vlerësuar shumë dhe kjo tregohet nga vetë hazret Umeri r.a

Hazret Umeri r.a. tregon: Një herë i mora leje Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. për të bërë Umrah. Duke më dhënë  leje, ai më tha: “O vëllai im, mos na harro në lutjet e tua.” Hazret Umeri r.a. thotë: Nuk do të gëzohesha kaq shumë edhe po të më jepej e gjithë bota në vend të këtyre fjalëve.
(Tirmidhi, Kitabud Da’vat; Musnad Ahmad)

Ja se si lutej Profeti i shenjtë Hazret muhamedi s.a.v.s:

Hazret Ibni Umeri r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kur çohej nga tubimi, lutej për es-habët e tij me këto fjalë: “O Zoti ynë, dhurona frikë prej Teje që të bëhet pengesë midis nesh dhe gjynaheve tona; falna bindjen ndaj Teje që na çon drejt Xhenetit Tënd; jepna besimin që na lehtëson shqetësimet e kësaj bote; mundësona që t’i përdorim veshët, sytë, fuqitë dhe aftësitë tona në mënyrën më të mirë, ashtu siç të pëlqen Ty. O Zoti ynë, ai që na bën mizori, Ti Vetë merri hakun atij; ai që ka armiqësi me ne, ndihmona kundër tij; mbrona besimin tonë nga sprovat; bota mos të bëhet gjithçka për ne dhe dija jonë mos të kufizohet vetëm me këtë botë; mos na cakto ndonjë autoritar që nuk na mëshiron.”
(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)


Ja se ç’thotë një njeri që jetën ia kishte dedikuar shërbimit ndaj Allahut të Madhërishëm në lidhje me lutjen dhe realitetin e saj, duke lavdëruar dhe nderuar vulën e të gjithë profetëve s.a.v.s:

“Realiteti i lutjes është ekzistenca e një lidhjeje tërheqëse midis robit të sinqertë dhe Krijuesit të tij. Domethënë, së pari mëshira e Zotit të Lartësuar e tërheq robin e Tij drejt Vetes. Pastaj joshja që del nga sinqeriteti i robit bën që Zoti t’i afrohet më shumë dhe mbasi që krijohet një lidhje e veçantë në çastin kur bëhet lutja, shfaqen rezultate të çuditshme. Kështu që, kur robi ndodhet në ndonjë vështirësi shumë të madhe dhe ai, me besim të përsosur, me shpresë të përsosur, me dashuri të përsosur, me besnikëri të përsosur dhe me guxim të përsosur, përulet para Zotit duke qenë shumë i vetëdijshëm e duke i grisur perdet e errësirës, përparon në gjendjen e qenies së tij të hiçit, atëherë ajo që shikon para syve të tij do të jetë pragu i Zotit ku nuk shoqëron askënd me Të. Në atë moment shpirti i tij e vë kokën në pragun e Tij. Dhe ajo fuqia tërheqëse, që i është dhuruar robit, fillon ta tërheqë mirëbërësinë e Zotit. Atëherë Zoti i drejtohet për t’ia plotësuar qëllimin dhe efektin e lutjes së tij, ia shpërndan të gjitha atyre mjeteve materiale me të cilat krijohen ato mjete që janë të nevojshme për qëllimin e lutësit.”

“Realiteti i disa kategorive të mrekullisë, në fakt është pranimi i lutjes. Ato mijëra mrekulli që kanë treguar profetët si dhe të gjitha gjërat e jashtëzakonshme që kanë treguar evlijatë (njerëzit e Zotit) deri më sot,  kanë rezultuar se burimi i tyre në të vërtetë është lutja. Efekti i lutjes shpesh ka shfaqur gjëra të çuditshme e të jashtëzakonshme të krijimtarisë së Zotit.  Ajo ngjarje e çuditshme që ndodhi në shkretëtirën e Arabisë kur u rijetësuan qindra mijëra të vdekur në një periudhë të shkurtër kohe. Ata që ishin të kequdhëhequr përgjatë brezave të tërë, veshën ngjyra Hyjnore; ata që ishin të verbër, fituan pamjen; ata që ishin memecë, filluan të flasin për kuptimin e Hyjnores, dhe bota pësoi një revolucion, i cili nuk ishte parë a dëgjuar më parë. A e dini se çfarë e shkaktoi këtë? Ishin përgjërimet gjatë netëve të errëta të dikujt që ishte i përhumbur pas Allahut, lutjet e të cilit lëshuan një britmë në gjithë botën dhe shfaqën të tilla mrekulli saqë dukeshin të pamundura në rastin e një të paarsimuari e të pa përkrahuri. O Allah zbrit mbi të dhe ndjekësit  e tij bekimet dhe paqen Tënde sipas dhimbjes dhe ankthit që ai ndjeu për umetin e tij dhe hidh mbi të përgjithmonë dritën e mëshirës Tënde.”


Duhet të dimë që nevojtarët jemi ne dhe për këtë nuk duhet në asnjë moment të harrojmë ekzistencën e Zotit. Nëse nuk ndodh kjo atëherë unë ju them se anjëherë dhe në asnjë mënyrë lutja juaj nuk refuzohet nga I Gjithmëshirëshmi Allah. Allahu në Kur’an thotë:

“A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij dhe Ai ia largon mjerimin, dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë a ka ndonjë zot tjetër përveç Allahut?! Sa pak që reflektoni!”
                                                                                                                                                                                (En-Neml 27:63)

Përgjigjia nga të gjithë është jo, e prandaj ne duhet që lutjen që bëjmë ta kalojmë nëpër këto faza: Të lutemi më së shumti kur jemi në rehati dhe shëndet sepse gjatë nevojës patjetër që do të ndodhë, të lutemi për të tjerët dhe për vete në çdo sexhde që bëjmë dhe veçanërisht gjatë kohës së së tretë të natës, kohë në të cilën Allahu premton se ai zbret në qiellin e tokës dhe u drejtohet robërve të tij duke thënë se a ka njeri që më lutet mua që unë tia pranoj lutjen, por mbi të gjitha përulësia dhe shpirti i vetësakrifikimit duhet të jetë ai që të mbizotërojë në çdo lutje. Nëse dikush e arrin këtë atëherë jam i sigurtë se ai nuk do të dojë asgjë tjetër në këtë jetë sepse kjo është kënaqësia dhe vlera më e madhe që mund të arrihet.

Si përfundim po e mbyll me një lutje të sinqertë të dalë nga zemra e një njeriu të përulur dhe të nënshtruar Allahut, drejtuar të Gjithëmëshirëshmit. Ai thotë:

O Mirëbërësi im, o Zoti im, unë jam një rob Yti, i paaftë, shumë mëkatar dhe shumë përtac. Unë bëja mizori pas mizorie dhe Ti më dhe bekime mbi bekime. Unë bëja mëkat pas mëkati dhe Ti më bëre mirësi pas mirësie. Ti gjithmonë m’i mbulove mëkatet e mia dhe më dhurove bekimet e Tua të panumërta. Prandaj, edhe tani, më mëshiro mua të kotë dhe mëkatar, dhe më fal gabimin dhe mosmirënjohjen time e më liro nga ky mëkat imi, se s’ka ndihmës tjetër përveç Teje.  Amin! Amin!”



0 comments:

Post a Comment