9:08 AM
0


Monumentet e kulturës, vlera jonë kombëtare po shkatërrohet, ku është shteti?!

Ura e Golikut 300-vjeçare në komunën Proptisht të Pogradecit, po shkatërrohet pak nga pak nga persona të panjohur dhe papërgjegjshëm, duke u prezantuar tek banorët e zonës si turistë.
Ndonëse një monument kulture 300-vjecar, kjo urë është kthyer në një fushë kërkimesh për materiale të çmuara. Gjatë ditës persona të panjohur, por që janë nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë, prezantohen si turistë, ndërkohë gjatë natës përveshin mëngët. Kjo gjë ka bërë që ky monument kulture të vihet në rrezik serioz, pasi gërmimet nga këta “legjendarë” florizbulues, po bëhen në këmbët e urës. Kjo gjë ka vënë në alarm banorët e zonës të cilët shprehen se këta persona vijnë e gërmojnë në këmbët e urës për të gjetur flori, pasi ashtu flitet në një legjendë.

Së bashku me banorët i shqetësuar është edhe kryetari i komunës Proptisht z. Fuat Fero.
Z. Fero thotë: “Ura e Golikut është një monument kulture i kategorisë së parë, por dita ditës po humbet vlerat e saj dhe po shkatërrohet. Ethet e arit tashmë nuk po kursejnë edhe vepra të tilla arti. Persona të paidentifikuar po ndërhyjnë në pjesë të ndryshme të urës, në kërkim të arit, pa marrë parasysh pasojat e këtyre gërmimeve te kjo urë 300-vjeçare…”
I pyetur nga gazetari i televizionit News 24 se nëse “Arzbuluesit” janë banorë të zonës apo persona nga rrethet ai është përgjigjur:
Thesar-kërkuesit që vijnë këtu janë banorë nga qytete të tjera të Shqipërisë, ndoshta nga Elbasani apo rrethe të tjera. Teksa mbërrijnë në fshat, u prezantohen banorëve të zonës si turistë dhe kontrollojnë zonën, më pas përgjatë natës, me harta në duar gjurmojnë ar, veçanërisht në këmbët e urës. Banorët e zonës nuk bëjnë të tilla ndërhyrje pasi janë të ndërgjegjshëm se kjo është vetëm një legjendë, por të huajt, natyrisht që kërkojnë të gjejnë me çdo kusht materiale të çmuara.”
Ajo që sot kërkohet është kjo: Monumentet e cultures, vlera jonë kombëtare po shkatërrohet, ku është shteti?

/Bekim Bici/

0 comments:

Post a Comment