Bekim Bici |
Në ditët e sotme shumë krime të rënda që po ndodhin, kanë bërë që të ngrihen debate të shumta. Nisur nga ky fakt, në debate shqyrtohen argumente të ndryshme mbi rikthimin në Shqipëri apo jo, të ligjit për dënimin me vdekje. Duke u ngacmuar edhe nga këto debate, unë do të mundohem që me aq njohuri që kam marrë deri tani, të sjell argumente se përse sipas meje nuk mund të rikthehet dënimi kapital në Shqipëri. A është e mundur që Shqipëria jonë të mund të kontrollojë një ligj të tillë? A është e mundur që krimet të ulen nëse ky ligj rikthehet? A mund të mbulohet dhuna me dhunë? A është e mundur nga ana juridike që ky ligj të rikthehet në Shqipëri duke patur parasysh, se Shqipëia ka miratuar në kuvend me ligj Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera që mund të ketë çdokush në mendje do të mundohem që me anë të kësaj teme t’ju jap një përgjigje sado pak të vyer.
Një arsye mëse njerëzore që na vjen të gjithëve në mend kur flasim për rikthimin e dënimit me vdekje, ka të bëjë me të drejtën më të fortë dhe më të pa prekshme që të gjithë ne gëzojmë. Është e drejta që ka dalë në jetë së bashku me ne, e drejta për të jetuar. Nëse jetën na e ka dhënë një Krijues, siç mendohet dhe besohet nga muslimanët apo fetë monoteiste, apo një natyrë që mendohet nga disa të tjerë të cilët nuk besojnë në një Zot, apo edhe nga shumë idhuj në vende dhe kultura të ndryshme në botë, atëherë ku e gjen të drejtën njeriu apo ligjbërësi që të shkaktojë vdekjen time qoftë edhe pse unë mund të kem bërë një “gabim” shumë të rëndë. Çdokush që vjen në këtë jetë bashkë me të fiton edhe mbrojtjen më të fuqishme të jetës së tij, që siç e thamë, është e drejta bazë dhe më e fuqishme e tij. Pra në një far mënyre ne jemi amaneti më i çmueshëm i Dikujt, dhe këtë amanet të gjitha shkallët e drejtësisë e kanë për detyrë ta ruajnë, si të tillë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që në nenin e saj të tretë thotë:
“ Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij (...) janë baza e këtij shteti, i cili k apër detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
Në nenin 15 “amaneti” që thashë më sipër përsëri përmendet shumë zëshëm. Neni 15 i Kushtetutës thotë:
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.
2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Po cilat janë këto liri për të cilat Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë flet kaq qartë dhe me kaq vendosmëri? Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në kreun e dytë, “Liritë dhe të drejtat vetjake”, përkatësisht në nenin 21 të saj, thotë:
“Jeta e personit mbrohet me ligj”.
Ndërkohë në vazhdim jep edhe të drejtat dhe liritë e tjera që gëzon një individ në Republikën e Shqipërisë si: Liria e shprehjes, shtypit, televizionit etj etj. Pra këto të drejta garantohen në mënyrë direkte dhe askush nuk mund të orvateti t’i shkelë ato.
Por dikush mund të thotë se gjithë këto vrasje që po ndodhin, gjithë këto krime makabër, të tmerrshme a nuk e meritojnë një dënim të tillë, pra dënimin me vdekje. Ata të gjithë argumentojnë se kriminelë të tillë nuk e meritojnë të jetojnë, pasi kanë shkelë të drejtën bazë kushtetuese. Por unë do të thoja vrasja a është dhuna në shkallën më të lartë? A mundet që dhuna të mbulohet me dhunë dhe sa e drejtë është kjo? Sa e moralshme është kjo? A mundet që gabimi të zhbëhet me një gabim tjetër? A mund të rikthehet në jetë personi i ndjerë? Kur t’i je kundër humbjes së jetës, është plotësisht absurde që për të zhdëmtuar një jetë të humbur të marrësh edhe një tjetër edhe pse kjo nuk të takon ty. Edhe besimet e ndryshme fetare e dënojnë maksimalisht vrasjen madje shkojnë deri aty sa e lejojnë hakmarrjen por kjo kur nuk ka ligj. Nëse ligji ekziston atëherë duhet t’i bindemi atij. Besimi islam thotë që pavarësisht se e drejta e dënimit apo thënë me fjalë tjetër e hakmarrjes (sepse dënimi me vdekje në një far mënyre është hakmarje por nëpërmjet ligjit) ekziston, vazhdon më tej duke thënë se falja është hyjnore. Por këtu nuk po flitet për falje, këtu po flitet për dënim por jo dënim që të cënojë jetën e njeriut. Por le t’i heqim të gjitha këto pyetje, le ta ndërrojmë ligjin rreth kësaj çështje por vallë a mundemi?
Shqipëria është anëtare e KiE dhe një kohësisht ka ratifikuar (miratuar) Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Me miratimin e kësaj konvetnte ne jemi bërë pjesë e saj. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shpreh qartë se çdo ligj apo pikë e kësaj konvente është mbi ligjet e kushtetutës së Shqipërisë. Për më saktë le të shikojmë si shprehet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë rreth kësaj çështjeje. Në nenin 122 të saj thuhet:
“1. Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Ndryshimi, plotësimi dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për efekt të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me të njëjtën shumicë.
2. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. (...)”
Pra në këtë nen dhe pikë të kushtetutës thuhet qartë se marrëveshjet ndërkombëtare kanë epërsi mbi ligjet e vendit. Thënë ndryshe ne nuk mundemi që ta rikthejmë këtë ligj edhe përshkak të ratifikimit të KEDNJ.
Le të marrim edhe një tjetër rast. Ja e votuam dënimin me vdekje, por sa e aftë është Shqipëria dhe drejtësia shqiptare për më saktë gjykata dhe prokuroria. Sot në arenën ndërkombëtare SHBA njihen si vendi me drejtësinë më të zbatuar dhe më të aftë, por edhe ata gabojnë. Fundja askush nuk është perfekt, por një gabim në këtë rast do të thotë jetë njerëzore. Ja një shembull gabimi:
“Thomas dhe Meeks Griffin nga Karolina e jugut u dënuan në 1915 me dënim me vdekje për vrasjen e një personi për motive rracore në 1913. 94 vjet më vonë ata u fallen, (pas vdekjes) pasi hetime të mëtejshme vërtetuan që të dënuarit ishin të pafajshëm”.
Ja pra edhe drejtësia më e fuqishme e njohur në botë gabon, gabim që u kushtoi jetën dy të pafajshëmve. Pra duke patur parasysh nivelin e sistemit të drejtësisë Amerikane dhe shumë vendeve të tjera, ku gjendemi ne? Sa të aftë jemi të mos gabojmë apo të mos korruptohemi, kur dihet se kurrupsioni është alarmant në të gjitha strukturat aq më tepër në gjyqësor.
Siç e thamë që në hyrjen e kësaj teme dënimi me vdekje është ka hapur debate në çdo hallkë të shoqërisë. Nga shoqëria e thjeshtë pranë sobës, ajo e lokaleve, gjimnazeve, universitete dhe tek opinionbërësit. Vetë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha është shprehur ndër të tjerat se nuk është e mundur të rikthehet dënimi me vdekje sepse anëtarësimi në KiE kusht bazë ka patur dhe ka heqjen e dënimit me vdekje.
Si përfundim unë do të thoja se ku është morali në mbulimin e vdekjes me vdekje? Është e pamundur që dënimi kapital i vrasësve, pedofilëve etj., të sjellë një ulje të rasteve kriminale me pasoja të rënda. Poashtu Shqipëria nuk është gati për dënimin me vdekje edhe sikur KiE ta lejonte. Këtu tek ne të pafjshmit dënohem me burg të përjetshëm, ndërkohë që pedofilët dënohem me gjobitje… Dënimi me vdekje vendoset kur dukshëm vepron ligji e sistemi i drejtësisë dhe jo në rastin tonë kur kokat e të pafajshmëve ikin si mullinjtë e erës. Në vendin tonë nuk është se mungojnë ligjet, por mungon zbatimi i tyre. Ligji është mjaft i qartë për të gjithë ama zbatimi ndryshon. Sot jo vetëm që populli nuk është mjaftueshëm i sensibilizuar për zbatimin e ligjeve por mungojnë edhe ata që duhet ta ekzekutojnë ligjin kur ky i fundit nuk zbatohet. Korrupsioni është ulur këmbëkryq në të gjitha nivelet administrative, duke filluar që nga roja i spitalit, i cili nuk të lejon të hysh brenda pos të japësh një bakshish, e duke shkuar deri në nivelet më të larta. Kjo është gjendja në të cilën ndodhet atdheu ynë, atdheu i Naimit e i Fishtës, atdheu i Havzi Nelës i flijuar sepse donte të kishte një vend të tillë ku të mbizotëronte zbatimi i kushtetutës.
Pra a mund të më thoni a jemi gati që ta rikthjemë një ligj të tillë?!Punoi: Bekim Bici
Duhet te aplikohet pasi cdo dite po shohim vrasje nga me te tmerrshmet dhe asnje nuk po merr masa qe ti frikesoje keta njerez.
ReplyDeleteA thua të gjithë kanë të njëjtin mendim? A mund të aplikohet me kushtet që kemi ne?
Delete