4:12 PM
0
Bekim Bici

Tek dëgjon apo lexon këtë shprehje, urtësia e të cilës nuk do shumë të kuptohet, por të veprohet, imazhi i parë që të del parasyve është një dorë, që një gisht e ka nga tjetri, por katër të tjerë i ka drejt vetes. O njeri i mençur! A e shikon këtë realitet, në momentin që guxon të veprosh?
Jeta e njeriut është si një monedhë. Por jo të gjithë e marrin mundimin t’i shikojnë të dy anët e saj. Mjfatohen me atë që paraqitet. Ndërkohë që dikush shikon dikë në rrugë të shtrirë për tokë, shpesh herë dëgjon të thuhet:”Shikoje pijanecin! Është shtrirë si derr përtokë!”, por ke të vështirë të shikosh një njeri të gjykojë rreth kësaj. Vështirë të shikosh dikë që i afrohet ta pyesë nëse ka nevojë për ndihmë. Ndodh që të mos jetë pijanec, por një njeri i sëmurë që sëmundja e tij e ka bërë të tërhiqet zvarrë për rruge, të durojë “pështymën” e tjetrit, e në pritje të një ndihme të largohet nga kjo jetë. E në këto momente shumë mund të thonë se kjo është një jetë e “qelbur”, por jo.
Jeta është aq e bukur sa ti e lejon të jetë. Aq e bukur sa ti dëshiron ta ndërtosh, por në momentin që shikon se shoku ka një grimcë mbi rroba e nuk arrin të shohësh “baltën” që të ka mbuluar, atëherë çfarë të presim tjetër. A thua jeta i ka fajet në këtë rast?
Në fakt nuk është jeta fajtore, por vetë individi nga mënyra se si e ndërton jetën e tij. Ai që na ka krijuar nuk e kishte të vështirë të na bënte engjëj, por ata i ka bërë të “programuar”, të mos gabojnë asnjëherë. Njeriun si qenien më të përsosur e bëri me mendje. Një mendje që është e aftë të gjykojë rast pas rasti, nëse ajo është e pastër. Por mendjes i shtoi edhe zemrën e ndjeshmërinë, të cilat aq sa e ndihmojnë atë, po edhe e pengojnë. Gjykimi duhet t’i bëhet vetes, pa të tjerët do të ketë kush t’i gjykojë.
Por plaga nga e cila vuan çdo shoqëri, kush më pak e kush më shumë, është ajo e paragjykimeve. Paragjykimi konsiderohet si gënjeshtra më e madhe, që shpesh vjen nga zilia, por edhe nga gabimet që mund të bëhen.  Mund të ndodh në jetë që, për një gabim njeriut mund t’i drejtohemi me gisht në rrugë, por mos harro se nesër mund të të ndodh dhe ty, e s’mbetet gjë tjetër vetëm të drejtosh gishtin drejt vetes. Në jetë njerëzit kurrë s’duhet të paragjykohen, pasi fundja ai është i lumtur me jetën e tij.Paragjykimi është i tillë që natën të lë pa gjumë, e ditën të merr mendjen. Ai mund të prishë dy persona, një familje, një shoqëri, shtet e një botë të tërë.
Por vallë përse ndodh kjo?
Kjo ndodh si arsye e ligësisë që pushton zemrat e mendjet tona. Siç e thashë edhe më sipër zemra e ndjenja nuk duhet të ngatërrohet në punët e mendjes. Përse duhet gjithnjë të mendosh në mënyrë negative? A thua nuk mund të mendosh një herë pozitivisht? Përse terri po i pushton mendjet e tëra? Kjo sepse njeriu vetë po e lejon. Madje jo vetëm e lejon, por i ka ndërtuar një infrastrukturë moderne. Kjo ligësi i ka bërë njerëzit të jetojnë në një burg. Pasi frika nga të paragjykuarit, është burgu më i madh në të cilin jetojmë. Burg i mbushur mbushur me biruca, ku dënojmë vetëveten.  Por “akti më i rëndë kriminal”, i cili shumë persona i burgos në këtë burg, është zilia e smira.
Ajo që ne duhet të bëjmë është që të pastrojmë zemrën nga çdo llojë smire e zilie. Të jemi të aftë të vlerësojmë tjetrin sepse nëse nuk e bën ti e bën dikush tjetër, i cili do të vlerësojë çdo gjë. Në vend që të përfolim tjetrin, përse të mos i zgjasim dorën e madje ta përqafojmë. Qëllimi i jetës sonë është të menaxhojmë siç duhet gjithçka na është dhënë, sidomos jetën, mirëmenaxhimi i së cilës do të sjellë edhe shpërblimin. Mbaje zilinë e smirën, që të mos i vrasë shpresën njeriut. Humbja e shpresës e bën njeriun të jetë një robot e si pasojë e ndonjë qarku të shkurtër, të shkatërrojë veten.  Le të mundohemi që edhe tek një gjallesë e ngordhur të shikojmë diçka pozitive, vetëm atëherë mund të themi se po mirëmenaxhojmë dhuratën që na është dhënë, JETËN.
Shfrytezuar:
  1. Sahih Buhari

Next
This is the most recent post.
Older Post

0 comments:

Post a Comment