Tek
nisesh me dëshirën më të madhe për të takuar pjesën tjetër të
kombit të lënë jashtë kufirit, të shtohet edhe dëshira e madhe
për të udhëtuar në veprën e kohës, “Rrugën e Kombit”. Por
dëshira e madhe për të parë këtë vepër përballet me një
pritje të madhe. Sikur të mos mjaftonte vetëm pritja, derisa
futesh në autostradë, do të jesh shembur nga veshkat, e gjithë
organizmi sikur ngrihet në këmbë.
Në
biseda e sipër me dy bashkëkombasit tanë, ku ne ishim jo shumë
optimistë për këtë vepër, me një buzëqeshje në fytyrë që
sikur të thotë, kënaqu me kaq, na thonë: “Kjo autostradë është
edhe doktor për veshkat. Deri sa të hysh në autostradë, gurët të
janë bluar, dhe i ke gati t’i nxjerrësh”.
Sikur
të mos mjaftonte kjo pritje, të duhet të përballesh me një pamje
aspak të bukur. Vende-vende të duhet të ecësh në një rrugë
dykalimshe që vetëm autostradë nuk mund të quhet. Diku të
“kallet data” kur papritur të del para një mace, qen apo kafshë
të tjera, kjo si pasojë e mungesës së rrjetës mbrojtëse që i
duhet çdo autostrade.
Ndërkohë
që ne po kërkojmë rrjetën, vërehet që aty-këtu përgjatë të
gjithë rrugës mungojnë brezat mbrojtës. Mungesës së tyre u
shtohet edhe dëmtimi i trafikndarëseve, dëmtim që ka sjellë një
numër të konsiderueshëm aksidentesh. Rrëshqitja e dherave bën që
shpesh herë edhe ato dy korsi që janë të shndërrohen në një, e
njëkohësisht në burim aksidentesh. Mungesa e dy korsive vihet re
edhe tek disa ura, të cilat akoma nuk kanë përfunduar, ndonëse
janë jashtë çdo afati. Një pamje e tillë të ngjall pesimizëm
ndaj shtetit mëmë, por jo vetëm. Kjo pamje vështirë të pranohet
si një ndërtim i kohës së fundit. Kjo e ka kthyer “Rrugën e
Kombit” në një “rrugë vdekjeje”.
Ndërsa
afrohesh pikës kufitare të Morinës, ajo me të cilën mund të
mburresh me plot gojë, është vepra e tunelit, por edhe ai sikur
bie në hije kur hyn në vazhdimin e “Rrugës së Kombit”, në
Kosovë.
Një
pritje krahë hapur, rrugë e gjerë e me xhepa të shumtë për
pushime. E pajisur me trafikndarëse, mbikalime e nënkalime. E
pajisur me rrjetë mbrojtëse për të penguar depërtimin e kafshëve
të egra apo të buta qofshin, por edhe atë të njeriut.
Sinjalistikë bashkëkohore e gjithçka e bën një vepër të tillë
të quhet autostradë. Të gjitha këtyre u shtohet edhe gjelbërimi
e punëtorët që e mirëmbajnë atë, gjë që në anën e
Shqipërisë vështirë, për të mos thënë e pamundur, të
gjenden.
E
teksa shikon e vlerëson një vepër me dy standarde, me të vetmën
gjë që mund të mbysësh keqardhjen, është terreni i vështirë
në anën tonë. E ndonëse mundohesh të mbysësh keqardhjen për
vete, një pyetje të lind vetvetiu: “Vallë ia vlen kjo rrugë 1
miliard euro?”.
Bekim Bici
0 comments:
Post a Comment